Daja: I kënaqur me zgjedhjen që kam bërë, luajmë në një fushë të vështirë

0

Ilir Daja do të rikthehet në Korçë pas shumë kohës, por këtë radhë si kundërshtar. Tekniku i cili fitoi titullin edicionin e shkuar me korçarët do të shkojë këtë herë në stadiumin “Skënderbeu” me Flamurtarin e tij për të marrë maksimumin. Daja tregon se nuk do të jetë një ndeshje e lehtë për skuadrën e tij, por nuk lë jashtë vëmendjes dhe çështjen Kale.
RIKTHIMI NË KORÇË – “Nuk do të jetë një transfertë si të gjitha fushat e tjera, pasi është hera e parë që unë rikthehem në Korçë si kundërshtar pas largimit. Shkoj si kundërshtar, si trajner i Flamurtarit, por i kemi idetë e qarta që nëse duam të marrim rezultat pozitiv atje, duhet të djersimë shumë dhe të jemi të fortë nga ana psikologjike, për të menaxhuar ato vlera që ne kemi”.
TAKIMI ME TIFOZËT – “Të flas për veten nuk është nga ato pjesë që më kënaq. Hera e fundit që kam qenë në Korçë ka qenë 27 maj dhe tifozët më kanë pritur jashtëzakonisht mirë. Ka qenë dhe 30 maj, por këtë herë ishim në Elbasan dhe kam pasur mbështetjen e tyre, ndërsa këtë herë shkoj si trajner i Flamurtarit. Me korrektësinë më të madhe më përfundoi kontrata atje dhe më pëlqente një sfidë e re dhe jam i kënaqur me zgjedhjen që kam bërë”.
NDESHJA ME SKËNDERBEUN –“Skënderbeu jo vetëm në këtë kampionat, por ka dekadën e fundit që kryeson kampionatin shqiptar, pasi ka fituar 7 tituj. Është një fushë shumë e vështirë sa i përket anës sportive. Është një ekip që deri më tani ka treguar se ka një formë të mirë sportive, edhe pse vjen pas humbjes me Laçin. Besoj se ata do bëjnë maksimumin për të mos pësuar dy humbje rresht, por që dhe ne kemi objektivat tona. Duke e vlerësuar maksimalisht Skënderbeun, do të gjejmë ato pika jo të forta që ata kanë, me të cilët kemi punuar këto dy ditë, për të arritur qëllimin që kemi për të marrë pikët tona në Korçë”.
MUNGESAT – “Tani nuk përbëjnë më lajm mungesat, sepse gjatë gjithë kohës nuk e kemi pasur asnjëherë kontingjentin e plotë. Ata që do hidhen në fushë nuk kanë nevojë për motivim, pasi në një fushë si e Skënderbeut, ku luhet futboll, të gjithë kanë dëshirë që të japin më të mirën e tyre. Ajo që na takon ne si staf duhet t’i përqendrojmë lojtarët te detyrat taktike, në mënyrë që loja të mos udhëhiqet nga doza emocionale, por me një logjikë sportive”.
KALE – “Sipas informacioneve që kam edhe në ndeshjen e nesërme Kale nuk do të jetë pjesë e skuadrës. Do të shohim pas ndërprerjes së kampionatit, do ta shohim. Di vetëm që në ndeshjen me Skënderbeun nuk do të jetë”.
 
Koliçi: Nuk kënaqemi me barazim, uroj të dalim me kokën lart

Së bashku me trajnerin Daja në konferencë për shtyp ishte dhe portieri Enea Koliçi. Gardiani theksoi se ai dhe ekipi i ti jod të kërkojnë maksimumin, duke treguar se as barazimi nuk i kënaq. “Gardiani” vlonjat tregoi se e dinë shkallën e vështirësisë në këtë takim.
“Skënderbeu mbetet një nga skuadrat më të forta të Superiores. Edhe kur kam qenë pjesë e Kukësit kemi pasur shumë vështirësi në Korçë. Ne jemi përgatitur këto dy ditë që kemi pasur në dispozicion. Uroj që të dalim me pikë nga kjo transfertë. Ne nuk kënaqemi asnjëherë me një pikë, futemi gjithnjë për fitore. E dimë se do të jetë një ndeshje shumë e vështirë dhe urojmë që të dalim me kokën lart nga kjo ndeshje, me pikë të plota”.

You might also like More from author

error: As mos e mendo :P
%d bloggers like this: