Mesazhe “shqip” nga SHBA dhe Gjermania, “shurdhëri” nga Shqipëria

0

“…shumica e fshatarëve dhe qytetarëve në Shqipëri, edhe pse kanë rreth 77 vjet që mashtrohen, zhgënjehen, ‘tradhtohen’ përditë nga e majta allashqiptare, vazhdojnë të tregojnë shurdhëri e verbëri, të mos nxjerrin mësime e përvojë nga dështimi i moçëm i së majtës komunisto-socialiste, edhe në Shqipëri, ashtu si në vendet ku u sajua apo u mboll fara e saj”.
Më 6 nëntor 2018 qytetarët amerikanë na dhanë një mesazh shumë të qartë jo vetëm në anglisht, por edhe në “shqip”. Si popull me nivel të lartë kulture qytetare, demokratike, elektorale, që mendon me mendjen dhe zemrën e vet dhe jo me ato të partive për vetveten dhe familjen e tij si dhe për Amerikën, edhe pse prej 2 vjetësh presidenti Donald Trump ka treguar se është i suksesshëm në fushat e ekonomisë, të punësimit, mirëqenies…, përsëri nuk ia dhanë dhe lanë atij të gjithë “tepsinë” e pushtetit apo timonin e shtetit. Pra, ndryshe nga ne “të zgjuarit shqiptarë”, amerikanët  nuk ranë viktimë e sloganit propagandistik dhe rotacionvarrosës, qoftë edhe për një qeverisje 10% më të mirë, se “të dyja palët janë njësoj”. Siç tashmë është bërë e njohur, në Senat shumicën e kanë republikanët, ndërsa në Dhomën e Përfaqësuesve shumica është e demokratëve. Kështu, presidentit Trump ata i dhanë të paktën tri mesazhe. I shprehën mirënjohje, mirëkuptim dhe mbështetje për reformat dhe arritjet e ndjeshme në fushën e ekonomisë e të financave, shprehur konkretisht e prekshëm në rritjen e nivelit të  punësimit, të të ardhurave, të mirëqenies…
Pra, edhe për mbajtjen mend dhe përmbushjen e shpejtë të  shumicës së premtimeve elektorale të dy viteve më parë në këto drejtime, krejt në të kundërtën me vendin tonë, ku “harresa” e premtimeve është traditë dhe praktikë e vjetër… I shprehën rezerva, dyshime, pasiguri, frikë… për disa veprime dhe mosveprime në politikën e jashtme, me shumë gjasa në marrëdhëniet me BE-në, NATO-n, OKB-në, Rusinë, Kinën, Turqinë, Sirinë, Iranin, Arabinë Saudite, Katarin, Izraelin dhe Palestinën, Korenë e Veriut; për emigracionin drejt SHBA-ve, për largimin e SHBA-ve nga traktati për klimën dhe ambientin; të atij me Rusinë për çarmatimin bërthamor… Gjithashtu, mund të mendohet se votuesit amerikanë e mbrojtën vetveten, Amerikën, botën, vetë Trumpin nga “tërbimi” i tij prej pushteteve të shumta e të mëdha, me “simptomat” karakteristike të përziera me karizmatizmin, si deliri, aututokratizmi, absolutizmi, arroganca, prepotenca, agresiviteti, vulgariteti… Këto janë shprehur apo nënkuptuar edhe në disa deklarime e veprime të tij të përshpejtuara, si edhe në shkarkime dhe emërime të befta të disa zyrtarëve të lartë të ekipit dhe administratës së tij, në kompetencën e tij si president. Fatkeqësisht, nga “virusi i tërbimit” prej pushteteve të shumta, të zgjatura, të pakundërshtueshme, të pakontrollueshme, të pandëshkueshme… janë prekur para tij, më herët Berisha dhe pas tij edhe kryeministri Rama. Prej tyre, sidomos në mandatet e dyta, janë “infektuar” edhe disa ministra, kryebashkiakë, zyrtarë të tjerë të lartë apo të mesëm… Nuk mund të përjashtohet se për humbjen e Dhomës së Përfaqësuesve, Trump mund të jetë ndëshkuar jo vetëm nga akuzat në proces hetimi për lidhjen e njerëzve të tij shumë të afërt me Rusinë, gjatë fushatës së zgjedhjeve presidenciale të dy viteve më parë. Fjala është që për këtë rezultat mund të ketë ndikuar jo pak edhe “humbja” e tij dhe “fitorja” e Putinit në samitin e Helsinkit, më 16 korrik 2018. Gjithsesi, shumica e amerikanëve dhe ndërkombëtarëve, politikanë, qeveritarë, analistë politikë, qytetarë të thjeshtë mendojnë se qytetarët amerikanë, edhe më 6 nëntor 2018, rishprehën pjekuri apo zgjuarsi në kutitë e votimit dhe për peshën dhe rolin e votave të tyre në vendimmarrjet e mëdha politike, qeverisëse, ligjore, administrative, sociale…
Tani le të kalojmë nga SHBA-të e largëta në Gjermaninë shumë më të afërt. Prej shumë vitesh, në këtë vend qeveris përgjithësisht suksesshëm dhe me “sherre” të herë pas hershme, si edhe mes shumicës së çifteve të bashkëshortëve me natyra apo karaktere të ndryshme, një koalicion mes partive kryesore të qendrës së djathtë dhe të atyre të së qendrës së majtë. Dihet botërisht se Gjermania ka vite që përjeton bum ekonomik e financiar, rritje ekonomike edhe në kohë piku të krizës në shumë vende fare pranë apo larg saj… Rritja ekonomike shprehet edhe në rritjen e pagesës për 1 orë të punës,  të pagave, pensioneve, të pagesës së mbështetjes sociale; të rritjes së përqindjes së fondeve në buxhetin e përgjithshëm për shëndetësinë, arsimin, shkencën, ushtrinë, mbrojtjen… Kuptohet se këto suksese si vend dhe si shtet shprehin edhe meritat personale, sidomos të dy prej figurave më të rëndësishme të qeverisjes dypolëshe apo Merkel. Fjala është për atë vetë si kancelare dhe për ministrin e saj të Financave për rreth 8 vjet, (2009-2017), Wolfgang Schäuble, padyshim një nga personalitetet më të mëdha në fushën e ekonomisë dhe të financave në Gjermani dhe përtej saj. Edhe pse ishte në karrige invalidi, ai pranoi t’i shërbente me profesionalizëm elitar, devotshmëri  shembullore dhe me ndershmëri të papërfolur vendit dhe popullit të tij. Pra, ndryshe nga sa ndodh në vendin tonë, ku mund të bëhesh kryeministër, ministër, zv.ministër, drejtor i përgjithshëm, prefekt, deputet edhe pa arsimin, profesionin dhe kualifikimin përkatës për kolltukun që do të ngrohësh, “vjelësh”, “mjelësh” apo “rrjepësh”, edhe duke qenë me diploma të blera dhe mastera apo doktoratura “të vjedhura”; edhe vëlla, kushëri e mik me bosë të krimit të organizuar dhe të trafiqeve shumëngjyrëshe… Për të bërë edhe më qartë bumin ekonomik në Gjermani dhe distancën, si mes dy poleve, të saj me vendin tonë si dhe se si na mashtrojnë apo tallin qeveritarët tanë të sotëm me “rekordet e tyre historike” janë shprehëse edhe këto fakte fare të freskëta. Në tetor 2018 në Gjermani ishin rreth 824.000 vende të lira të punës, rreth 44.000 më shumë se para një viti. Ndërsa krahasuar me një vit më parë, numri i të punësuarve në Gjermani është shtuar me 561.000 punonjës. Ndërsa për të kuptuar se sa qesharake dhe çnjerëzore është politika e pagave, sociale dhe e pensioneve tek ne në krahasim me Gjermaninë, shprehet qartë edhe nga këto shifra të mëposhtme. Pagesa minimale e një ore punë në Gjermani është rreth 9.5 euro ose rreth 1.200 lekë të reja, me kursin e këtyre ditëve në shkëmbimin euro-lekë. Kjo është afërsisht e barabartë me një ditë të tërë pune 8-10-orëshe tek ne. Një fëmijë që lind sot në Gjermani merr për çdo muaj, deri sa të mbushë 18 vjeç, rreth 196 euro, ose afro 24.500 lekë të reja, domethënë sa është një pension mesatar në vendin tonë i një qytetari që ka punuar rreth 40 vjet apo gjithë jetën. Sipas një informacioni të zgjeruar dhënë në ‘DW’ më 21.08.2018, në parashikimet e Institutit të ekspertëve gjermanë në ekonomi, ‘Ifo’, për vitin 2018, thuhet se Gjermania do të ketë për shkak të eksportit të lartë edhe sivjet një suficit vjetor prej rreth 299 miliardë dollarë, duke qenë  për herë të tretë radhazi kampione e botës për këtë tregues.
Gjithashtu, këto arritje apo “rekorde” e kanë bërë Gjermaninë një nga destinacionet më të pëlqyeshme si refugjatë apo emigrantë ekonomikë, jo vetëm nga vendet në luftëra të gjata dhe varfëri ekstreme në Afrikë dhe Azi, por edhe nga vende të Evropës Lindore. Pra, përfshirë edhe hallemadhen e përjetshme, Shqipërinë tonë, ku prej rreth 74 vjetësh “mbretëron” socializmi apo e majta. Paradoksi është se “lumenj” me refugjatë dhe emigrantë derdhen drejt Gjermanisë, ashtu si dhe drejt Britanisë së Madhe, SHBA-ve, Kanadasë, Francës, Suedisë, Belgjikës, Holandës, Danimarkës, Finlandës, Norvegjisë, Australisë, Zelandës së Re, Japonisë, Koresë së Jugut, Singaporit, Dubait, Katarit, Kuvajtit…, edhe nga fuqitë e mëdha ekonomike dhe ushtarake lindore apo komunisto-socialiste, me ambicie shumë të mëdha e të pafshehshme jo vetëm ushtarake, si Rusia, Kina, India… Kontrasti thellohet dhe bëhet oqean kur mendon se këta lumenj kanë një drejtim, atë nga Lindja komunisto-socialiste, ku qeverisin parti të majta drejt Perëndimit kapitalist, ku qeverisin parti të djathta dhe asnjëherë në kahun e kundërt. Por, shumica e fshatarëve dhe qytetarëve në Shqipëri, edhe pse kanë rreth 77 vjet që mashtrohen, zhgënjehen, turpërohen, “tradhtohen” për ditë nga e majta allashqiptare, vazhdojnë të tregojnë shurdhëri e verbëri… Duke pranuar “vetësakrifikimin” personal e familjar “për ideal e për parti” vazhdojnë të mos nxjerrin mësime e përvojë as nga dështimi i moçëm i së majtës komunisto-socialiste, edhe në Shqipëri, ashtu si në vendet ku u sajua apo u mboll fara e saj, as për shembujt shumë shprehës të SHBA-ve dhe të Gjermanisë. Duke e mbyllur me një dozë humori, plot nga këta shqiptarë meshkuj, që vazhdojnë ta duan të majtën “marrëzisht” apo me fanatizëm, gruan apo nënën e fëmijëve e ndajnë, dhunojnë apo vrasin qysh me dyshimin apo tradhtinë e parë.
The post Mesazhe “shqip” nga SHBA dhe Gjermania, “shurdhëri” nga Shqipëria appeared first on Gazeta Shqiptare Online.

You might also like More from author

error: As mos e mendo :P
%d bloggers like this: