Nje dekadë te Lacio: “magjistari” Tare, sulmuesi që u bë rastësisht drejtues

0

Igli Tare është një nga drejtuesit më të mirë në Itali dhe diçka të tillë nuk e themi vetëm ne shqiptarët, për t’u mburrur se një bashkëkombës i yni po bën mirë në një shtet tjetër, por diçka të tillë e tregojnë shifrat, por dhe vlerësimet që vijnë nga Italia.
Së fundmi është faqja e “Gianluca Di Marzio” që i ka kushtuar një shkrim të veçantë drejtorit sportiv të kryeqytetasve italian. Siç shkruhet në sajtin prestigjioz italian, Tare është një nga më të mirët prej 10 vitesh, por pozitive është që të paktën dhe për dy vite do të jetë sërish pjesë e futbollit italian.
Gjithçka nisi në edicionin 2008-2009, saktësisht 10 vite më parë, kur Lotito i bëri një pyetje të thjeshtë Tares: “Çfarë mendon për këtë ekipi”. Këtu nisi gjithçka për shqiptarin, i cili u fut për një rinovim si lojtar dhe doli me një rol si drejtor. Lotito e kishte menduar këtë rol për të për një kohë të gjatë dhe i dha Tares dy ditë kohë për ta menduar, megjithatë atij nuk iu deshën shumë kohë për të vendosur. Që atëherë ai asnjëherë nuk ka ndryshuar mendje.  Të enjten erdhi dhe lajm i madh për “shqiponjat” pasi u dha lajmi se ishte arritur marrëveshja për rinovim, por vetëm disa detaje kishin mbetur për t’u saktësuar.
Lotito besoi te ai dhe kishte të drejtë. Në fillim jo të gjithë e besuan, por me kalimin e kohës të gjithë nuk kishin më asnjë dyshim. Igli ka mësuar shumë dhe ka bërë një punë të madhe dhe tani e sheh veten në krye. Në Romë Tare është si në shtëpi. Disa mosmarrëveshje me presidentin dhe ish-sulmuesin kuqezi janë thjeshtë një kujtim i largët. Në Itali thuhet se mjafton që t’i japësh Tares një shifër mbi 8 milionë euro dhe do të sjellë një lojtar me të ardhme të madhe. Ka ndodhur gati gjithnjë: Çfarë prek ai kthehet në fitime financiare, në trofe dhe në bilance pozitive.
Tare nuk ka ndonjë rrjet vëzhguesish, vetëm një specialist analizash me video dhe njihej që janë krijuar me kalimin e viteve duke kërkuar talente. Shqiptari punon vetëm dhe pa ndihmën e askujt. Kur ai e identifikon një element të veçantë ai e ndjek për muaj të tërë, duke analizuar dhe videot e tij, por më pas për të shumë rëndësi ka dhe ana njerëzore e tij dhe para se t’i ofrojë dikujt një kontratë duhet të flasë me të dhe zbulojë karakterin e tij, por të njohë dhe familjen. Nuk i lë asgjë rastësisë.
Tare flet gjashtë gjuhë të huaja: shqip, italisht, anglisht, gjermanisht, spanjisht dhe greqisht. Ëndrra e tij është që një ditë të drejtojë Shqipërinë. Aq i fiksuar pas punës së tij, sa disa vite më parë mori një trajtim disa ditorë, për shkak të stresit të tepërt. Aq i fiksuar pas punës ishte sa kur po kurohej tha: “A mund ta marrë telefonin me vete?” Pas këtij momenti gjithçka u përmirësua, por vetëm pas shumë vitesh ai mori disa ditë pushime dhe festoi me familjen tij, duke e pasur telefonin e fikur, për disa ditë, të paktën për pjesën më të madhe të kohës. Ishte rast shumë i rrallë për të.
45-vjeçari ka bërë shumë afrime, ndonjë dhe nuk ka rezultuar aq i suksesshëm, por me të tjerë ka marrë trofe dhe ka krijuar fitime të konsiderueshme për klubin. Lista është e gjatë, Keita, Strakosha (këshillë nga legjenda Foto Strakosha, babi i Thomasit), Klose po ashtu ishte i bindur se do të dashurohej me ngjyrat e Lacios.
Igli besoi te Imobile si dhe zbuloi Milinkoviç-Saviç, me këtë të fundit që e mori 10 milionë euro, ndërsa tani vlerësohet mbi 100 milionë euro. Nga Brazili ai “peshkoi” Hernanes dhe Felipe Anderson në Holandë, fitoi konkurrencën për De Vrijn, nga Spanja mori Luis Alberton. Talentet që ka marrë Tare janë të panumërt dhe dora është vetëm e tij, e Iglit i cili thuajse aksidentalisht u kthye nga një sulmues në një drejtor sportiv, më të suksesshmin në Itali.
 

You might also like More from author

error: As mos e mendo :P
%d bloggers like this: