Nostalgji/ Koncertet që prishën muajin e Ramazanit

0

Në lajmet tona të “show-bizz”-it, në rubrikën “nostalgji” mund të gjeni fotografi, lajme apo intervista të veçanta, të publikuara gjatë viteve në suplementin “Bluetooth” të “Gazetës Shqiptare”. Në GSH.al, sot po ju sjellim: Koncertet që prishën muajin e Ramazanit
Java e dytë e muajit gusht, përkoi me fillimin e Muajit të Madhërueshëm të Ramazanit. Agjërimi, gjatë këtij muaji sipas urdhëresave të Zotit në Kuran është obligim për të gjithë besimtarët muslimanë. Po sa e zbatojnë këtë urdhëresë VIP-at shqiptarë? Në fillim, lidhur me këtë çështje pyetëm disa prej deputetëve të parlamentit tonë. E nisëm me aktoren e njohur Rajmonda Bulku, e cila na tha se ndonëse beson shumë në Zot nuk i ndjek me fanatizëm ritualet e fesë Islame. Të njëjtin mendim me të ndante edhe deputetja socialiste, Shega Ligori e cila gjatë një komunikimi të shkurtër që patëm dje përmes telefonit, na u përgjigj: “Unë besoj në Zot, por nuk i ndjek me rigorozitet këto ritualet fetare. Shkoj në institucionet fetare, lutem, por nuk mbaj Ramazan. Unë i përkas besimit Bektashi në fakt”. Menjëherë, pas saj i telefonuam zonjën Bregu, prej së cilës ishim të bindur që do të merrnim një përgjigje pozitive, por edhe ajo pyetjes së gazetarit të suplementit “Bluetooth” iu përgjigj miqësisht duke thënë:

“Këtë vit nuk kam agjëruar, me kismet do të agjëroj Natën e Kadrit”. Për të mbyllur listën e deputetëve të parlamentit shqiptar kontaktuam dhe me Enkelejd Alibeajn, i cili na pohoi gjithashtu se, nuk kishte mbajtur asnjë ditë Ramazan. Pavarësisht, faktit se zoti Alibeaj që pas udhëtimit në Mekë, gëzon dhe titullin “Haxhi”, nuk mban agjërim gjatë muajit të shenjtë. Duke qenë se, prej deputetëve nuk morrëm asnjë përgjigje pozitive, menduam të provonim me këngëtarët. E para që na erdhi në mendje ishte Çiljeta Xhilaga, e cila gjithmonë e ka deklaruar me të madhe se beson shumë në Zot. “E kisha bërë nijet që të agjëroja këtë vit, por fatkeqësisht nuk mundem për shkak të koncerteve. Nuk ka sens që gjithë ditën të agjërosh dhe në darkë të nxjerrësh këmbët jashtë në koncert. Po të ishte dimër, do të agjëroja me patjetër. Do Zoti po ma sjell mbarë të agjëroj Natën e Kadrit”, – përgjigjet plot dashuri Çiljeta. Zaimina Vasjari bën pjesë gjithashtu në këngëtaret besimtare. “Kam agjëruar ditën e parë të muajit Ramazan, do të agjëroj dhe ditën e fundit si dhe në “Natën e Kadrit”. Koncertet na e bëjnë të pamundur agjërimin, jemi gjatë gjithë kohës në lëvizje…”, – shprehet bukuroshja Vasjari. Të njëjtin mendim me të ndan edhe këngëtarja Anjeza Branka, e cila gjithashtu do të agjërojë vetëm në Natën e Kadrit. Duket se besimi është ruajtur më shumë, përtej Shqipërisë, në Kosovë dhe Maqedoni. Një pjesë e mirë e këngëtarëve si Shpat Kasapi, Adrijan Gaxha, Gili, Leonora Jakupi, pavarësisht koncerteve të shumta, kanë nisur agjërimin.

Ky shkrim u botua më 14 gusht 2010
The post Nostalgji/ Koncertet që prishën muajin e Ramazanit appeared first on Gazeta Shqiptare Online.

You might also like More from author

error: As mos e mendo :P
%d bloggers like this: