Finalja e Kramer: Errësirë për 15 minuta, kujtoja se Argjentina ishte në avantazh!

0

Kristof Kramer është një nga Kampionët e Botës me Gjermaninë në vitin 2014, pavarësisht se ai mbahet mend për dëmtimin e pësuar në finale, duke humbur kujtesën dhe mos mbajtur mend asgjë. 27-vjeçari. i cili luan me ekipin e Gladbahut, i është rikthyer dhe njëherë episodit të ndodhur në mitikun “Maracana” të Brazilit. Ishte 13 korriku i vitit 2014 dhe Gjermania fitonte në shtesa përballë Argjentinës me Mario Gëcen, i cili i dhuroi Kupën e katërt të Botës Gjermanisë dhe tifozëve të saj.
Një dëmtim i Sami Kedirës bëri që trajneri Lëv t’i besonte Kramerit një post në finalen e madhe. Gjithçka u mor vesh vetëm pak orë përpara fillimit të betejës, gjatë së cilës gjermani u përplas me mbrojtësin Garai, duke humbur kujtesën dhe vazhdimin e ndeshjes. Ai u zëvendësua pa mbaruar pjesa e parë, ndërsa e paharrueshme mbetet skena e ndodhur me arbitrin Ricoli, kur lojtari e pyeti italianin se çfarë ndeshje po luhej… !
“Garai nuk më kërkuar kurrë ndjesë, po ku i dihet, ndoshta e ka bërë dhe e kam harruar”, është shprehur disa herë duke buzëqeshur Kramer.

“Vite më vonë, mund të them që ajo gjë që më ndihmoi të ruaja qetësinë, ishte normaliteti me të cilin Lëv më tha se do të luaja. Askush nuk më tha se ishte mundësia e jetës, askush nuk më pyeti se si ndihesha. Për ata ishte thjeshtë normale. Për këtë gjë do i jem gjithmonë mirënjohës stafit teknik”, rrëfen Kramer për “Gazzetta dello Sport”. Asnjë kujtim, fikje totale për një çerek ore dhe zbulimi i një detaji interesant, sa i përket rezultatit të ndeshjes.

“Nga momenti i përplasjes me Garain, nuk mbaja mend asgjë, nuk kam ndjerë as dhimbje. Kujtimi i vetëm është ai me mjekët brenda dhomave të zhveshjes. Kam një “errësirë” prej 15 minutash. Doktorët po më qetësonin, duke më thënë që rezultati ishte akoma 0-0. Në ndërgjegjen time isha i sigurtë, që Argjentina ishte në avantazh me golin e shënuar nga Higuain, por arbitri e kishte anuluar pak përpara dëmtimit tim. Unë ende kisha bindjen që ishte gol”, tregon 27-vjeçari, i cili vazhdon të flasë për episodin, që nuk është se e bën shumë krenar, pavarësisht famës që i dhuroi.
Shkodran Mustafi dhe Kristof Kramer duke festuar me Kupën e Botës“Nga pikëpamja mediatike, për mua ishte një episod pozitiv, por shumë torturuese. Njerëzit më lidhin me finalen e Kupes së Botës, por në jetë ka gjëra më të këqija se kjo. Por, nuk është një histori për të cilën ndihem krenar. Ishte momenti më i bukur i jetës time. Kur takohem me ndonjë nga lojtarët që ishin pjesë e asaj kombëtareje, ndjej një ndjesi të veçantë. Jemi të bashkuar nga diçka magjike, speciale. Këtë nuk do të ma heqë dot askush”, përfundon Kristof Kramer.

You might also like More from author

error: As mos e mendo :P
%d bloggers like this: