Kosova nuk ndalet, taksa ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnjës nuk ka afat kohor

0

Vendosja e taksës doganore prej 10 për qind për mallrat që importohen në Kosovë nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina, nuk ka një afat të caktuar se sa do të zgjasë. Ndërkaq, arsyet e vendosjes së kësaj mase, sipas Qeverisë së Kosovës, janë ekonomike dhe politike.
Ministri i Tregtisë dhe Industrisë në Qeverinë e Kosovës, Endrit Shala, thotë për Radion Evropa e Lirë se kjo masë ka qenë e domosdoshme për ekonominë e vendit, pasi shteti i Serbisë, sipas tij, në vazhdimësi shkel marrëveshjet rajonale.
Ai thotë se shumica e artikujve të importuar nga Serbia dhe Bosnja, në Kosovë kanë ardhur me çmim më të lirë se në tregun e tyre, me ç’rast kanë krijuar masa damping në tregun e Kosovës.
Ministri Shala është i bindur se Kosova me këto masa nuk i ka shkelur marrëveshjet e nënshkruara për tregti të lirë.
“Siç e parasheh Marrëveshja për tregti të lirë, CEFTA, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë ka tentuar në shumë raste që të kontaktojë për këtë çështje me dikasteret përkatëse në Serbi dhe Bosnjë e Hercegovinë. Dhe, asnjëherë nuk kemi marrë përgjigje nga to. Me qëllim të mbrojtjes së ekonomisë vendore, prodhimeve vendore, ka qenë e domosdoshme marrja e një mase të tillë”, thotë Shala.
Sipas ministrit Shala, shteti i Serbisë nuk i lejon transportuesit e Kosovës që të kalojnë as transit nëpër Serbi.
Me qëllim të mbrojtjes së industrisë vendore dhe interesave të Republikës së Kosovës, që nga viti 2014 ekziston Ligji për masat anti-damping dhe masat kundërbalancuese.
Dampingu nënkupton importin e mallrave në Kosovë me një çmim më të ulët të eksportit sesa çmimi i krahasueshëm për produktin e ngjashëm të destinuar për konsum nën kushtet normale të tregut në vendin eksportues.
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ndërkaq ka thënë se derisa nuk ndërron qasja e Serbisë ndaj Kosovës, qëndrimet e Kosovës për masat e vëna, do të mbesin në fuqi.
Në një konferencë për media, kryeministri Haradinaj, ka thënë se një ndër arsyet e marrjes së këtyre masave, ndërlidhet edhe me kërcënimet e familjeve të pjesëtarëve serbë të Forcës se Sigurisë së Kosovës nga ana e Beogradit.
Qeveria e Kosovës të martën ka vendosur masë në importin e mallrave nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina.
Adriatik Stavileci, zëdhënës i Doganës së Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se deri më tani nuk është vërejtur ndonjë ndryshim në importin e produkteve të këtyre dy shteteve në territorin e Kosovës.
“Nuk kemi vërejtur ndonjë ulje ose çështje tjetër në aspekt të rënies ose ngritjes së importit. Sidoqoftë, është shumë herët, nevojiten deri në 10 ditë që të shihen efektet e masës”, thotë Stavileci.
Vendosja e taksës për 10 për qind për produktet serbe dhe boshnjake është mirëpritur nga përfaqësuesit e komuniteteve të bizneseve.
Ndërkohë, që reagime të ashpra kundër kësaj mase kishte në Beograd dhe në Bosnjë e Hercegovinë. Indiferent në këtë aspekt nuk ishte as Bashkimi Evropian, duke ngritur shqetësime se po shkelet Marrëveshja për tregti të lirë, CEFTA.
CEFTA, është një marrëveshje ndërkombëtare e krijuar nga ana e Bashkimit Evropian me qëllim të lehtësimit të këmbimeve tregtare të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Kosova është anëtare e këtij mekanizimi që nga viti 2007.
Por, marrëdhëniet tregtare të Kosovës me vendet fqinje, janë përcjellë në vazhdimësi me probleme të shumta. Barrierat tregtare që shtetet si Serbia dhe Bosnje e Hercegovina u kanë vënë produkteve nga Kosova, kanë bërë që edhe Kosova të reagojë, duke vendosur masa reciprociteti në vitin 2011.(rel)

You might also like More from author

error: As mos e mendo :P
%d bloggers like this: