“Si shërbeu gjyshi im, Athanasi, për 57 vjet si mjek në Vlorë”

0

Para disa ditësh, mjeku i famshëm, Prof. Dr. Spiro Qirko, një nga emrat më në zë të kardiologjisë shqiptare, ishte i ftuar në Tv Svan, në emisionin ‘RREFIM’, i cili prej tre katër vjetësh realizohet nën drejtimin e gazetarit të njohur, Dashnor Kaloçi, si autor, dhe moderohet nga gazetarja Albana Shehu Qirjako. Në këtë emision ku prej vitesh kanë qenë të ftuar emra dhe personazhe nga më të njohurit e politikës, artit, kulturës, sportit etj. etj., dr. Qirko rrëfeu për më shumë se 90 minuta historinë e panjohur të jetës dhe familjes së tij, nga babai dhe nga nëna, duke filluar nga gjyshi, Athanas Qirko, i diplomuar në Paris për Mjekësi, te babai, Telemak Qirko, i diplomuar në Itali dhe Zvicër për Jurisprudencë, e deri tek vetë profesori i njohur, i diplomuar në Universitetin e Tiranës dhe i specializuar në Francë në vitet ’70-të. Si dhe historinë e familjes nga nëna e tij, (familja Leka nga Durrësi), ku për katër breza me radhë kanë qenë të gjithë intelektualë të njohur në fusha të ndryshme, si në Mjekësi e Jurisprudencë, të gjithë të diplomuar jashtë Shqipërisë. Po kështu, Dr. Qirko rrëfen për herë të parë edhe shkollimet e tija nga klasa e parë e më tej deri në fakultet, duke kujtuar mjaft nga profesorët e tij të gjimnazit etj., si dhe ata që e ndihmuan dhe i dhanë mundësinë për t’u specializuar në Francë në vitin 1975, ku atë e lutën për të qëndruar përgjithmonë me punë aty. Për më shumë rreth kësaj dhe të tjera histori dhe ngjarje interesante nga jeta e tij, na njeh intervista e koleges sonë, Albana Shehu Qirjako, e cila vazhdon në tre numra radhazi në ‘Gazeta Shqiptare’.

Përshëndetje të dashur miq, ditët kanë kaluar dhe ia kanë lënë vendin njëra- tjetrës, ne jemi takuar sërish në rrëfimin tonë të fundjavës ku sërish kemi të ftuar një personazh mjaft interesant, ashtu siç kemi bërë gjithnjë nuk do e tregojmë se cili është. Fillimisht do ju tregojmë një foto të fëmijërisë së tij…Të nderuar miq kam kënaqësinë që në studio të kem një personalitet i fushës së mjekësisë, një mjeshtër i madh, Profesor Doktor Spiro Qirko. Kënaqësi doktor që ju kemi këtu…
Edhe unë jam shumë i lumtur që jam në studion tuaj…
Profesor, do ju ngacmojmë në kujtimet tuaja, ju keni dalë në media, në fakt, dhe keni folur për punë tuaj, për arritjet tuaja, për ato çfarë i shqetëson njerëzit, gjë të cilës ju i jeni përkushtuar, por sot do ju ngacmoj pak në karrierën dhe në jetën tuaj personale bashkë me atë profesionale të ndërthurura, do ju çojmë vite larg. Ju keni lindur në qytetin e Tiranës, por, në fakt, origjina juaj nuk është nga Tirana…?
Kam lindur në Tiranë në vitin 1944, në Maternitetin e Tiranës dhe nëna ime e kishte shumë dëshirë që të më fotografonin dhe unë ruaj një fotografi ku kam dalë i sapolindur. Ajo e donte edhe si kujtim, por edhe që ta kishte dhe të shikonte evolucionin tim gjatë viteve, ashtu si çdo të donte çdo nënë. Natyrisht që është një kujtim i veçantë, është një fotografi e vjetër, por që unë e ruaj me shumë kujdes në albumin tim dhe që i referohem gjithmonë për të parë evolucionin që ka bërë një njeri që në atë moshë e më pas. Por sido që të jetë, ajo fotografi më inkurajon, më jep kënaqësi, jam një fëmijë i shëndetshëm aty, për fat nuk kam pas problem aty dhe as në rininë time. Në sajë të kujdesit të prindërve u rrita si një fëmijë i shëndoshë dhe kjo pastaj më dha të mundësitë që të përballoj të gjitha sfidat e jetës që vijojnë më pas.

Shumë emocionuese doktor të flasësh për atë kohë?
Eshtë vërtetë moment emocionues të flasësh për jetën, sepse jeta e njerëzve është komplet e ndryshme pavarësisht se nga struktura anatomike njerëzit janë të barabartë dhe trajektoret e jetës janë krejtësisht të ndryshme dhe kjo e bën dhe më interesante jetën. Eshtë një jetë e mbushur me mistere dhe të papritura me suksese dhe dështime, por duhet shkuar përpara. Pra, gjithmonë duhet të ecim përpara. Kam parasysh një thënie të Martin Luter Kingut, i cili ka thënë dhe që është një porosi për të gjithë njerëzit: “Mundohu të fluturosh, në qoftë se nuk fluturon, mundohu të vraposh, në qoftë se nuk vrapon, mundohu të ecësh, në qoftë se nuk ecën, mundohu të kacavirresh, por në fund vazhdimisht duhet të ecësh përpara. Kjo është jeta njerëzore dhe që duhet të karakterizojë të gjithë njerëzimin dhe gjithsecilin nga ne për të qenë të suksesshëm për këtë periudhë që jetojmë. Dhe kjo e Martin Luter Kingut është një kryevepër nga ato lexime që kam parë. Më është dukur vërtet shumë optimiste dhe shumë inkurajuese. Sepse ne të gjithë gjatë jetës kemi pasur problemet tona, kush më shumë dhe kush më pak. Nuk ka qenë kurrë një trajektore pa vuajtje. Eshtë një shprehje e moçme shqiptare që më ka impresionuar gjithmonë dhe që unë nuk e harroj kurrë, që thotë: “Jeta nuk është gjë tjetër vetëm një vrapim me pengesa nga materniteti në varreza”. Dhe ne jemi të detyruar që të kalojmë pengesat që të ndjejmë kënaqësinë e jetës. Sigurisht edhe mua më kanë shoqëruar këto fenomene gjatë jetës, gjatë një jete jo fort të lehtë, por të ndërlikuar, por duke pasur parasysh këtë ide të madhe të Luter Kingut, që ne duhet të ecim, të vrapojmë, dhe kur biem, të ngrihemi dhe të ecim, të shkojmë përpara dhe aty të arrijmë suksesin.
Familja juaj si nga nëna ashtu dhe nga babi vijnë nga familje shumë të njohura dhe me tradita, gjyshi juaj nga babai ka qenë mjek…?
Unë origjinën e gjyshit tim, Athanas Qirko, ose Nasho siç e thërrisnin, e kam nga Narta e Vlorës. Ai pasi arriti moshën për të studiuar, shkoi në gjimnazin “Zosimea” të Janinës, ishte një ide e babait të tij, pra e stërgjyshit tim që fëmijët mos t’i linte në fshat që të merreshin me ullinjtë, me peshk dhe ato që krijonte fshati, por ishte ideja dhe mendonte që kishte ardhur koha që ato të shkolloheshin. Unë mbaj mënd një episod që ma ka treguar gjyshi im, që kur ishte i vogël e mori babai i tij dhe e çoj në arë aty që t’i tregonte: “Tani, o do zgjedhësh këtë punë, o do shkosh në shkollë”. Në fakt, ai u tmerrua, se ju futën gjembat në këmbë nga puna e rëndë dhe i tha; “Jo baba, unë do shkoj në shkollë”.
Një stërgjysh shumë i me-nçur…?
Po, një stërgjysh shumë i mënçur, me thënë të drejtën, këtu fillon dhe zanafilla e familjes tonë, dhe unë mendoj që po mos të ishte ai, pra po të mos shkollohej ai, nuk do të ishim ne të tjerët në ato vende ku kemi qenë dhe jemi. Dhe gjithmonë lutem aty ku është që shpirti i tij të jetë i ndriçuar. Në fakt në atë kohë ishte një sakrificë e madhe nuk ishte e lehtë të dërgoje fëmijët të studionin jashtë, sepse nuk kishte të ardhura maksimale. Sepse prodhoheshin një herë në vit dhe gjyshi më tregonte se nga shitja e prodhimeve, paratë që fitonte ja jepte të gjithë njëherësh për gjithë vitin. Dhe ai shkoi në “Zosimea”, i cili ishte një nga gjimnazet e famshëm ku ka qenë dhe Naim Frashëri dhe njerëz të tjerë jo pak figura të shquara të Shqipërisë dhe greke, gjithashtu. Dhe pastaj pasi mbaroi “Zosimean” ai shkoi në Universitetin e Athinës, ku mbaroi për Mjekësi. Dhe Mjekësinë në Athinë kështu e ka bërë, pra një pjesë të parave ia dërgonte i ati dhe një pjesë tjetër e siguronte duke punuar si infermier në mënyrë që të siguronte shpenzimet që i duheshin.

Pra, me shumë sakrifica….?
Po me shumë dhe kështu mbaroi studimet dhe u diplomua në vitin 1900. Nga viti 1900 deri më 1957 gjyshi Athanasi ka ushtruar profesionin si mjek në Vlorë. Ai ishte mjek shumë human, shumë i zoti, misionar dhe i përkushtuar. Duhet të kuptojmë se në atë kohë nuk kishte mjek, gjyshi ishte pediatër, pra i specializuar kryesisht në Pediatri, por në kohën e atëhershme në Vlorën e atëhershme, duhet t’i bëje të gjitha. Pra, gjyshi ishte një mjek i përgjithshëm, ai ishte dhe gjinekolog, ishte dhe otorinolog dhe otojatër dhe okulist. Po të shikojmë, unë kam në shtëpi disa kujtime të tija, kam dhe një forceps që nxjerr fëmijët e sapolindur. I kam se i ka ruajtur ai vetë, pra atij i duhet t’i bënte të gjitha vetë. Ka pasur shumë raste që ai i ka nxjerrë fëmijët vetë në kushte shumë të vështira që sot as nuk mendohen. Mjeku i asaj kohe do thosha që ishte mik shtëpie, ai vizitonte të sëmurin dhe mbetej mik shtëpie, Pra, duke qenë mik shtëpie, mbetej edhe mjeku më i mirë i shtëpisë. Dhe kujtoj që thoshte gjithmonë, që kur do bëheshin martesat, pra familja që kishte djalin për t’u martuar me dikë, i thoshin gjyshit: “Doktor, ju keni vizituar edhe familjen e filanit, a mundemi ne që të marrim nuse për djalin, vajzën e asaj familje, sepse duhet ta dimë a ka ndonjë problem shëndetësor?
Shumë interesante kjo doktor….?!
Pa dyshim shumë interesante dhe shumë e fortë, pra që në atë kohë njerëzit interesoheshin për shëndetin dhe kjo tregon kulturë. Pasi njerëzit do lindnin fëmijë dhe duhet ta dinin se ku shkonin.
Po sot kjo gjë mungon doktor…?
Absolutisht mungon dhe mungon krejtësisht kjo, edhe pse janë të gjitha mundësitë për t’u bërë. Dhe gjyshi, për të mos fyer një familje që mund të kishte një sëmundje psiqike të lindur etj., i thoshte: “Shikoni, mundohuni të gjeni në një vend tjetër. Nuk ka nevojë që të mbeteni vetëm aty, shikoni ka edhe të tjerë”. Pasi hapur nuk mund të dilte, se ishte sekret profesional, por edhe pa ia thënë nuk mund të rrinte, se ata e pyesnin dhe kishin besim në fjalën e tij. Pra, desha të them, se mjeku i shtëpisë, ishte dhe mik shtëpie dhe ishte gjithçka për ta. Dhe tjetra, se misioni i tij ishte i tillë, pra jemi në Vlorën e vitit 1925-1930 dhe kështu me radhë. Pra, nuk kishte mjek nate. Kuptohet se shumica e fshatrave në Vlorë nuk kishte mjek. Ç’ndodhte? Në ora dy të natës binte dera e gjyshit tim, vinte p.sh. një nga Tragjasi dhe i thoshte fjala vjen, doktor unë kam gruan shumë sëmurë, keq, apo duke lindur etj. Të lutem shumë duhet të vish, si do bëjmë? Dhe i shkreti në dy të natës, i hipte kalit, se vetëm me kuaj bëhej kjo punë, vishte një mushama të madhe se binte shi dhe shkonin në Tragjas. Rrinte aty gjithë natën sa mund të rrinte dhe në mëngjes kthehej në shtëpi. Por kjo nuk ndodhte rrallë, kjo gjë ndodhte shumë shpesh. Gjyshi si mjek ka mbuluar jo vetëm Vlorën, por të gjithë fshatrat e Vlorës. Ai kur shikonte familje të varfra, nuk i merrte kurrë para, ishte një njeri tepër human. Saqë kur ndërroi jetë në vitin 1957, kanë ardhur të gjitha këto familje ku ai kishte shkuar ndër vite si mjek për t’i vizituar, e kanë marrë arkivolin e tij në krah duke bërë rreth 5 km nga Vlora në Nartë, se gjyshi është varrosur në Nartë. Një gjë e jashtëzakonshme, unë kam qenë i vogël atëherë, por nuk e harroj kurrë atë varrim madhështor, apo më saktë, varrim i ndjerë, jo varrim thjesht për t’u dukur, pra kishin ardhur të gjithë njerëzit atje që u ishte gjendur për 57 vjet. Dhe e dyta që kishin shumë respekt njerëzit për gjyshin, ishte fakti se ai kur i shikonte kështu të varfër, nuk u merrte para.
Njeri human…
Absolutisht tepër human. Dhe vazhdoi ta ushtroj këtë profesion deri kur ishte 84-85 vjeç, se ai vdiq 86 vjeç. Dhe në atë kohë unë isha i vogël rreth 10 vjeç dhe, në fakt, ai që më shtyu të bëhesha mjek, ishte gjyshi im. Le të themi që ai më futi në profesion që i vogël, sepse më merrte aty kur vizitonte njerëzit dhe ndonjëherë më jepte dhe stetoskopin në vesh e më thoshte, dëgjoje…?! Unë atëherë isha në klasë të tretë të katërt, sigurisht shkruaja dhe mbaja shënime duke shkruar në një bllok emrat e të sëmurëve dhe unë në një farë mënyre u dashurova me atë profesion…
Pra, ju futi në profesion…?
Po, po më futi në atë profesion
Por babai juaj nuk e mori profesionin e tij…?
Në fakt, jo, e dini pse?! Gjyshi im kishte 3 djem, babai im Telemaku u bë jurist, një vëlla tjetër i tij u bë farmacist, dhe tjetri përsëri jurist. Në fakt, ai kishte lënë një si amanet: “Unë nuk dua t’ju bëj mjek”?! Sepse ai mendonte se do vazhdonte kjo historia e ngritjes natën dhe e shqetësimeve madhore ditën. Pra, tha; “Më mirë merrni një profesion tjetër, që siç kam vuajtur unë, të mos vuani ju”. Dhe ajo që më mrekulloi, ky njeri që punoi për 57 vjet, kishte vetëm një shtëpi dykatëshe në Vlorë, që e kishte bërë vetë dhe pjesën tjetër të parave ai i përdori për të studiuar djemtë.
Pra, investimi i tij kryesor ishin studimet e djemve…?
Absolutisht po, por djemtë i futi për të studiuar që në moshën 10-11 vjeçare dhe i çoi të tre jashtë deri sa u diplomuan. Pra, me një largpamësi të jashtëzakonshme, të gjithë të ardhurat e kursimet që kishte në fakt, ai i përdori të gjitha për të edukuar e arsimuar djemtë e tij. Për mendimin tim liceu të forcon dhe edukon. Habitem që gjyshi im që në atë kohë, pra 100 vjet përpara e kishte idenë që djemtë duhej të studionin jashtë. Thashë pak më lart se gjyshi i çoi tre djemtë e tij në moshën 11 vjeçare jashtë, pasi deri në moshën 11 vjeç i mbajti këtu që të mësonin mirë gjuhën shqipe të cilën ata nuk mund ta harronin më dhe pastaj i çoj jashtë për studime.
Po babai juaj ku ka studiuar?
Babai im Telemaku ka studiuar në Bari të Italisë që në moshën 11 vjeçare. Në Bari në atë kohë ishte një mikeshë e gjyshit tim, e vendosur atje me të shoqin dhe babai u sistemua në konvikt, ndërsa kjo zonjë, e merrte të shtunave dhe të dielave në shtëpi, për t’i dhënë një drek një darkë e kujdesej për të në konvikt. Bëhet fjalë për vitet 1922-’24-’25, pra pas ardhjes së Musolinit në fuqi, por shkollat në atë kohë me thënë të drejtën kanë qenë shumë të forta në Itali. Babai pasi mbaroi 8-vjeçaren si të thuash, pastaj shkoi dhe bëri Liceun në Firence. Firencja ishte një kryevepër, ishte vendi i Kulturës, i Rilindjes italiane, ishte kryeqyteti i Kulturës jo vetëm italiane, por dhe botërore me artistët e famshëm. Ç’është e vërteta, ai më thoshte se; “Kam përfituar shumë”, pasi me shokët e tij që i kishin prindërit intelektualë, organizonin çdo të shtunë me miqtë e tyre nga një takim, një darkë. Dhe këta njerëz, nga shtatë tetë vetë, mblidheshin, i ftonte i zoti i shtëpisë që djalin e kishte shok klase me babanë, i cili i thoshte: “Hajde dhe ti të dëgjosh, të bisedosh se çfarë bëhet, çfarë thuhet”. Dhe unë shkoja thoshte babai, zija një karrige aty në qoshe së bashku me shokun tim dhe vetëm dëgjoja. Ajo ka qenë një universitet tjetër për mua thoshte babai. Se aty flitej për Mikelanxhelon aty flitej për Rafaelon, për Bethovenin…etj etj.
Ka marrë një formim kulturor….?
Po, të jashtëzakonshëm. Gjithmonë kur e kujtoj, ai më thoshte: “Unë e kam fituar kështu këtë punë”. Pastaj pati mundësi të shikonte muzetë, muzeu i Firences që ishte vërtet shumë i rrallë. Pastaj mbaroi Liceun e Firences që ishte shumë i fortë, pasi kur shkonin këta për të dhënë provimet, iknin të gjithë pedagogët dhe vinin të tjerë të panjohur për t’i marrë në provim. Pedagogët që vinin, shikonin ecurinë e mësimeve gjatë viteve dhe të pyeste në provim pa e ditur fare se kush je, pasi emrat mbuloheshin. Dhe kështu nxënësi merrte atë që meritonte. Pra, edhe pse ishte një sistem fashist, shkollat ishin jashtëzakonisht të forta, këtë e thoshte shpesh babai.
Po pas Liceut…?
Pasi mbaroi Liceun, erdhi koha që do bëhej mjek dhe i thotë gjyshi im: “A do bëhesh mjek, a do bëhesh jurist”? Në fillim babai i tha: “Ta provoj njëherë”, dhe shkoi në Bolonja për Mjekësi. Bëri nja tre muaj për Mjekësi dhe e pa se nuk po i pëlqente, pasi vëllai i gjyshit tim, kishte mbaruar në Paris dhe ishte avokat në Aleksandri. Ai i tha babait; “Ç’të duhet Mjekësia, bëhu avokat, do jesh më mirë”. Dhe babai vajti në Lozanë të Zvicrës. Lozana atëherë kishte fakultetin e Drejtësisë më të mirë në Evropë. Ndërsa dekani i Fakultetit të Drejtësisë në atë kohë, ishte këshilltar i Mustafa Qemal Ataturkut dhe e kishte ndihmuar Ataturkun për të bërë Kushtetutën e Turqisë. D.m.th. ishte një celebritet. Babai e thoshte bukur, ky njeri që kishte ndenjur tre vjet me Qemal Ataturkun në Ankara, thoshte: “Njeri më inteligjent se Qemal Ataturku nuk kam parë, ishte i jashtëzakonshëm. Ndriçohesh (kthjellohesh) kur pinte konjak, ishte një njeri i çuditshëm, kur e shihje kështu në pamje të parë nuk të krijonte ndonjë ndjesi, por kur pinte konjak, ‘i ndizeshin llambat’ dhe bëhej zheni….”?!
Kushedi se çfarë ndikimi kishte konjaku….?
Si duket po, se ai, në fakt, nga ceroza vdiq, dhe nga hallet e mëdha që kishte, se ai e krijoi Turqinë e re. Ai ishte njeri shumë i madh, i thoshte dekani, këtë babai e kujtonte shpesh. Dhe kur mbaroi në Lozanë fakultetin në vitin 1934, më thoshte se aty kishte shumë të huaj, shqiptarë, bullgarë, pra ballkanas dhe një pjesë e tyre ishin fëmijë bejlerësh të pasur dhe vinin e ia shtronin me poker, me të pira, me femra etj. etj. dhe nuk mbaronin kurrë shkollën. Disa thoshte babai, i gjeta aty dhe i lashë aty, ndërsa unë mësoja shumë, se i ati, pra gjyshi im, i thoshte: “Unë po sakrifikoj shumë që të kam çuar ty aty në atë shkollë. Të kam dërguar dhe paratë dhe unë dua diplomën, të lutem, ndryshe ta mbyllim këtë punë”. Dhe unë thoshte babai, këtë përgjegjësi e kisha maksimale. Po kur mbaroi fakultetin, babai thoshte se nuk harroj dy mesazhe që na ka dhënë dekani i fakultetit të Lozanës ne studentëve. “Nuk u bë ceremoni me bujë e rrëmujë siç bëhet këtu duke hedhur kapelat etj., poshtë e lart. Aty kishte seriozitet maksimal. Erdhi dekani dhe na tha: Unë do u jap vetëm dy porosi, se ju do të bëheni gjyqtarë. E para: kur t’ju pyesin për ndonjë gjë, ju kurrë nuk do jepni përgjigje në këmbë. Se po e dhatë në këmbë, do gaboni. Uluni, dëgjojeni pyetjen, koncentrojeni dhe pastaj jepni mendim. Kurrë mos jepni mendim në këmbë”. (Këtë gjë babai ma dha porosi dhe mua, që kurrë nuk do japësh përgjigje në këmbë për një pacient, se duke nxituar gabon. Ulu dhe jep përgjigje). Dhe e dyta që është më e bukura, dekani jua tha se “Ju do bëheni gjyqtarë dhe do jepni vendimin për të pandehurin. Për një moment, mbyllni sytë dhe ndërroni rolet, thoni sikur të isha unë në vendin e të pandehurit, çfarë dënimi meritoja? Shtatë vjet apo dhjetë vjet, atë do t’i jepni”.
Porosi të vyera…?!
Të jashtëzakonshme…profesor që të mësojë kështu…?! Shiko, babai im ka qenë dhe gjyqtar që para lufte, por kjo gjë ishte e artë, dhe këtë porosi ma ka lënë dhe mua. Ai më thoshte: “Dëgjo djalë, kur do shkosh para të sëmurit, ki parasysh, ndërroni rolet, shko në vend të sëmurit, vish pizhamet dhe futu në krevat dhe rri aty, ndërsa ai i sëmuri të jetë në vendin tënd. Si do ta shikosh ti këtë të sëmurë? A do të vij mirë ty që ai të merret me ty në mënyrë të përciptë, të mos të të shohë të mos të dëgjojë?! Atëherë ti do kesh bërë dëmin më të madh, gabimin më të madh, prandaj mundohu gjithmonë të ndërrosh vendet që të bësh misionin si duhet”.
Këshilla mjaft të vyera….
Mjaft të vyera, kështu që ai nuk i harronte kurrë porositë e dekanit. Dhe kur mbaroi fakultetin në Lozanë, ku kishte dalë shkëlqyeshëm, babai filloi punë në Byronë Internacionale Dytrevaj, d.m.th. Zyra Ndërkombëtare në Gjenevë, që ishte në Lidhjen e Kombeve. (Sot është OKB-ja). Aty punoi nja tre-katër vjet dhe atëherë ju e dini se ishte patriotizmi, pra duhesh të ktheheshe në vendin tënd dhe shqiptarët ktheheshin në atdhe t’i shërbenin vendit të tyre. Dhe, në fakt, ai dëgjoi babanë dhe u kthye.
Ku u vendos babai kur u kthye në Shqipëri?
Ai kur u kthye u vendos në Durrës ku punoi si gjyqtar dhe fakt është se aty gjeti një ambient intelektual të nivelit të vet, sepse ishin të gjithë të mësuar jashtë. Dhe u ambientua mirë dhe paguhej shumë mirë, kur të kishte ndonjë problem mund të dilte shpesh jashtë shtetit se nuk kishte vizë, paraja që ishte në atë kohë napoloni, ndërrohej në çdo vend të botës se nuk kishte problem dhe kështu që i kishte të gjitha mundësitë e jetoi aty ku u martua dhe me nënën time.(Intervistoi, Albana Shehu Qirjako) (vijon nesër)
The post “Si shërbeu gjyshi im, Athanasi, për 57 vjet si mjek në Vlorë” appeared first on Gazeta Shqiptare Online.

You might also like More from author

error: As mos e mendo :P
%d bloggers like this: